Sunday, March 20, 2011

Rizvan Sulejmani: MAQEDONISË I DUHET DEBAT I THELLË NË TË GJITHA NIVELET

Në Republikën e Maqedonisë kemi dy fenomene të kundërta. I pari është shoku kulturor, që vjen si tendencë e emancipimit dhe urbanizimit të pjesës shqiptare, dhe i dyti trauma politike, si reaksion i kësaj që përgatitet si antipolitikë kundër këtij fenomeni

Shkurtimisht desha të them se këtu u dhanë shumë definicione se çfarë është pikë së pari kultura politike. Thanë se është raport i individit ndaj institucioneve, raport i individit ndaj shtetit, raport i kolektivitetit ndaj institucioneve, shteteve. Mund të jenë integraliste mund të jenë tradicionale e kështu me radhë. Dhe, kam përshtypjen se e gjithë kjo tryezë bëhet për dialogun politik të krerëve politikë, por jo për dialog të mesëm, për atë që e përmendi kolegia, dialog të intelektualëve, dialog të shoqërisë civile, por edhe më me rëndësi - dialog të popullatës.
Ne kemi një situatë që sot kemi aq shumë përplasje dhe polarizime në jetën politike rreth dy projekteve, siç është Shkupi 2014 dhe tash, kohët e fundit, na paraqitet edhe një problem, problemi i Kumanovës. Dhe, kurrsesi të hymë në esencën e problemit, por vetëm i shohim aktorët politikë të cilët me mjeshtri i përdorin disa shkathësi që krijojnë pasoja për të mbajtur pushtetin apo eventualisht për të marrë pushtetin. Dhe, gjithë argumentimi qëndron se VMRO-DPNE-ja është parti nacionaliste totalitare, LSDM-ja është parti e dobët dhe nuk mund ta luajë rolin opozitar, BDI-ja është parti e dobët në pushtet dhe nuk e kryen detyrën e vet si parti politike shqiptare, PDSH-ja është jashtinstitucionale, e kështu me radhë, por askush nuk ulet të mendojë se çka ndodh në Maqedoni.  Ka aq shumë indikatorë për të parë se kjo që po ndodh edhe me Shkupin 2014 është vetëm pasojë e proceseve më të thella që ndodhin në shoqërinë maqedonase.
Sipas meje, në Republikën e Maqedonisë kemi dy fenomene të kundërta. I pari është shoku kulturor, që vjen si tendencë e emancipimit dhe urbanizimit të pjesës shqiptare, dhe i dyti trauma politike, si reaksion i kësaj që përgatitet si antipolitikë kundër këtij fenomeni.
Republika e Maqedonisë pas 2001 ndryshon. Nuk ka zyrë ku nuk ke shqiptarë dhe maqedonas, nuk ka polici dhe ushtri që nuk ka shqiptarë dhe maqedonas. Por, çka ndodh? Derisa disa folin për çështje krejt familjare, të tjerët nuk e kuptojnë dhe rritet frika - çka thonë? Ky tjetri mund ta kuptojë edhe kur flet për çështje familjare edhe për çeshtje politike dhe nuk ka frikë. Prandaj, sondazhet tregojnë se 70% të popullatës maqedonase nuk janë të gatshëm të bashkjetojnë me popullatën shqiptare, kurse vetëm 40% te shqiptarët nuk e kanë këtë gatishmëri. Dhe, normalisht, partia politike tenton që këtë frikë si rezultat i kontaktit të parë të dy kulturave ta shfrytëzojë për qëllime politike. Aha, është krijuar frikë te maqedonasit dhe ja unë do të ndërtoj këtu përmendoren e Aleksandrit, Goces, ja këtu janë këta,  këta do t’ju mbrojnë dhe ju mund  te ndjeheni të sigurt se nuk do të ndodhë, siç do të kishte thënë një nga liderët ose ish-kryeministri, shqiptarizimi i Maqedonisë. Ne jemi garant i kësaj situate. Për edhe më tepër, jo se tjetri duhet ta kuptojë tjetrin, promovojmë një projekt të tipit mësim prej vitit të parë të gjuhës maqedonase, absolutisht që është në favor të shqiptarëve. Mirëpo harrojmë se ky projekt ngjall traumën shqiptare, ngjall vitet e 80-ta, kur filloi procesi i mbylljeve komplete të shkollave në gjuhën shqipe.
Dhe, në këtë lojë, të gjithë ne të tjerët jemi vënë në rolin e tifozërisë, pro-kundër. Dhe, me një simplifikim të pamasë të proceseve me vetëdije apo pa vetëdije fuqizojmë forcën e liderëve politikë.
Maqedonisë i duhet debat i thellë në të gjitha nivelet. Pse habitemi se na ndodh Kumanova. Po këtu kam prezantur rezultate para një viti nga kërkimet shkencore dhe ne themi se jemi të kënaqur që 95% të Maqedonisë janë pro Bashkimit Evropian. Por, kur i prezantojmë rezultatet nuk themi se në pytjen pse e doni Bashkimin Evropian, mbi 50% thonë se e kërkojnë për viza për të dalë për punë. Kjo i ndodh Maqedonisë. Mirëpo, kur prezantohen këto rezultate, liderët politikë nuk marrin pjesë Liderët politikë, udhëheqësit politikë, preferojnë dialog të boksit, të shkojë të fitojë 8-2, ose së fundi, aktorët neutralë, gjyqtarët, në rastin konkret komuniteti ndërkombëtar, të jetë në anën time. Dhe, prandaj sot i kemi këtu, sepse janë ambasadorët. Sikur ambasadorët të kishin shkuar, unë jam i bindur se asnjë nga përfaqësuesit e partive politike nuk do të kishte mbetur këtu për ta dëgjuar mendimin e shoqërisë civile. Ky është dialogu me të cilin nuk shkohet në dialog për të fituar 6-6 dhe shuma të jetë 12 për shtetin dhe shoqërinë , por 8-2 në favorin tim ose tëndin, që prapë shuma ështe 10, nuk është 12.
Maqedonisë i duhet një reformim më i thellë, një dialog më i thellë, që do të fillojë prej atyre që drejtpërdjrejt komunikojnë. Me këtë do t’i çfuqizojnë, ta humbin fuqinë dhe peshën dhe koncentrimin e shtetit në udhëheqësit dhe liderët politikë. Ne do të duhet të debatojmë në kësi forme, le se çka bisedojnë dhe si dialogojnë politikanët tanë.
(Riyvan Sulejmani është Nënkryetar i Këshillit Evro-Atlantik të Maqedonisë)

No comments:

Post a Comment