Sunday, March 20, 2011

Gordana Nestorovska: NEVOJA PËR STRATEGJI TË PËRGJITHSHME KOMBËTARE


Nuk është me rëndësi se ku ishim në të kaluarën, me rëndësi është se ku do të jemi pas dy-tri dekadave
Gjithsesi se liderët politikë duhet të jenë shembull në përhapjen e dialogut politik, por populli i rëndomtë nuk shikon se liderët në pritjet e shumta, koktejet, takimet... përqafohen, bisedojnë. Populli i rëndomtë e shikon atë që ndodh në Kuvend. Fyerje dhe nënçmime maksimale; kush çka ka bërë në të kaluarën dhe kush për çka është fajtor. Mua si qytetare e Maqedonisë absolutisht nuk më intereson se kush çka ka bërë, mua më intereson se ku do të jetë Maqedonia për 20-30 vjet.
Pasojat nga politika e këtillë të rinjtë akoma do t’i ndjejnë. Komiteti i Helsinkit çdo vit organizon shkolla për të drejtat e njeriut  për adoleshentët prej moshës 16-18 vjeçare. Situata nga një shkollë te shkolla tjetër është dëshpëruese e përtej dëshpërueses. Në njëfarë mënyre kemi bërë analizë se pse fëmijët (për shkak se ata janë fëmijë, rrallë kush prej tyre ka 18 vjet) kanë qëndrime të shtrembëruara për fjalët e bukura nga tipi i komunikimit, konsensusit, tolerancës, respektit... besimit etj. dhe kuptuam se ata fëmijë kanë lindur dhe janë rritur në tranzicion. Në fakt ata fëmijë nuk kanë parë diçka ndryshe, nuk kanë parë diçka më të bukur, nuk kanë parë dialog normal, nuk kanë parë këmbim të qëndrimeve... Kanë parë vetëm ofendime dhe akuza të ndërsjella personale. Edhe prej atyre nesër do të dalin politikanë të ardhshëm, të cilët nesër do të duhet ta ndërtojnë këtë kulturë politike dhe ta ndërtojnë këtë dialog politik.
Ne disa herë në 5-6 vitet e fundit deri te strukturat e qeverive të ndryshme që janë ndërruar (vetëm në pesë vitet e fundit janë ndërruar tri qeveri), kemi dërguar propozim që të largohemi nga temat politike ditore dhe të bëhet një dialog i përgjithshëm kombëtar, të shohim se ku dëshirojmë të jetë Maqedonia në vitin 2030. Jo sot, jo nesër, por për 20- 30 vite. Nëse kemi një gjë të përbashkët, diçka që na lidh, vetëm atëherë do të mund të zhvillojmë projekte strategjike dhe gradualisht ta ndërtojmë këtë kulturë politike dhe atë dialog politik. Deri sa të mos ulen, gjithë qytetaria dhe gjithë shoqëria qytetare dhe gjithë partitë politike dhe të mos dakordohen se ku dëshirojmë të jemi pas 30 viteve, nga dialogu politik nuk do të ketë asgjë.
(Gordana Nestorovska është Drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni)

No comments:

Post a Comment