Sot është e palejueshme që dikush të jetë ateist, të jetë jo-heteroseksual, të jetë pro-zgjedhjes kur bëhet fjalë për abortet dhe , më e rëndësishmja prej të gjithave, të jetë kundër kësaj tendence të etnizimit, shabllonizimit dhe në përgjithësi kundër homogjenizimit
Supozimi im është se shumë mistifikohet dialogu politik, edhe atë si dialog midis elitave politike, partive politike dhe liderëve politikë. Gjithsesi, ai dialog midis elitave dhe partive politike është i rëndësishëm për zhvillimin e shtetit dhe nuk duhet të nënçmohet, megjithatë për mua është më e rëndësishme gjendja e dialogut shoqëror në një kuptim më të gjerë. Problem më i madh është se tek ne mbizotëron fryma e mosrespektimit dhe jotolerancës.
Nuk pajtohem me atë se fragmentiviteti për momentin në shoqëri po na ndodh vetëm në baza etnike, fetare ose çfarëdo lloj bazash identifikuese. Por, ky është konsensus i disa elitave politike, asaj maqedonase dhe shqiptare, KOM-it dhe BFI-së, se, për to, këto janë kategori në të cilat ata mendojnë dhe në të cilat dëshirojnë të shabllonizohen të gjithë. Megjithatë, sipas meje, kjo është tendencë për homogjenizim, imponim të kallapëve – dikush të mos marrë pjesë në këtë dialog imagjinar nëse nuk i pranon këto vlera. Në të kundërtën i merren të drejtat e tij politike! Për fat të keq, kjo tendencë e marrjes së të drejtës së shprehjes publike të mendimit nuk është vetëm partiake, por i dedikohet rrethit më të gjerë të llojeve shoqërore dhe sociale.
Sot, për shembull, është e palejueshme që diskush të jetë ateist, të jetë jo-heteroseksual, të jetë pro-zgjedhjes kur bëhet fjalë për çështjen për abortin dhe, më e rëndësishme prej të gjithave, të jetë kundër kësaj tendence të etnizimit, shabllonizimit dhe në përgjithësi kundër homogjenizimit. Kjo do të thotë se nuk respektohet autonomia individuale dhe nuk respektohet e drejta e dallueshmërisë. Nuk respektohet, për shembull, e drejta e mospasjes së identitetit etnik. Nëse ju, ja, angazhoheni për këto pozicione, ju atëherë nuk merrni pjesë në dialogun politik. Ju, thjesht, jeni rebel. Këtu si shembuj mund të përmenden thirrje për linç nga ana e disa mediave madje edhe nga ana e disa faktorëve politikë, sa i përket shlyerjes së gej-popullatës, ateistëve, sorosoidëve, të personave të papërshtatshëm...Njëfarë konglomerati, të cilin si në kohët e errëta, ja edhe tani dëshirojmë ta përjetojmë si rrezik për indin e “shëndoshë” shoqëror.
Përderisa nuk pranojmë se ekzistojnë këto probleme, ndërsa nuk i pranojmë, deri atëherë nuk mundemi t’i zgjidhim. Nuk mund të themi se nëse ka debat – kjo do të thotë se ka dialog politik; ose nëse ka protesta – do të thotë se ka demokraci; gjegjësisht nëse u lejojmë organizim të parakalimit të tolerancës – do të thotë se nuk ka diskriminim. Kjo, gjithsesi, nuk është mënyrë që të zgjidhen problemet. Duhet të punohet në respektimin dhe zhvillimin e autonomisë individuale. Në vend që të diskutohet për dialog të disa kolektiviteteve ose grupeve njerëzish, thjesht duhet t’i jepet rëndësi parësore individit. Për mua është shkatërruese që ne edhe në shekullin 21, ende ndodhemi në stadium të përcaktimit të patriotëve dhe tradhtarëve.
(Anastas Vangeli është analist)
No comments:
Post a Comment