Me pranimin e sfidës për dialog, Qeveria aktuale do të pasurohet me mendim të lirë dhe do të krijojë atmosferë shumë pozitive për konsensus midis të gjitha partive politike dhe të gjithë faktorëve në shoqëri
Detyra ime është shumë e thjeshtë, sepse nuk dëshiroj të përsëris shumicën e qëndrimeve që gjatë viteve të kaluara janë thënë në theksimin e rëndësisë së çështjes dialog politik. Me të vërtetë mendoj se organizatorët kanë bërë një punë të madhe me ngritjen e kësaj iniciative që i mblodhi faktorët më të rëndësishëm shoqërorë, sepse ajo, jam i sigurt, do të ndihmojë edhe një herë të theksohet rëndësia e dialogut për cilëndo demokraci, posaçërisht për demokracitë të cilat ballafaqohen me disa momente dhe sfida vendosëse historike, siç janë situata e Maqedonisë. Ky vend ka para vetes para se gjithash prioritete vitale që janë me rëndësi vendimtarepër ardhmërinë e vendit. Këto janë përpjekjet për hyrje në NATO dhe BE, ndërsa për realizimin e këtyre qëllimeve është i domosdoshëm nivel shumë i lartë i dialogut politik që të sigurohet sukses.
Dialogu politik duhet të jetë pjesë e procesit normal demokratik. Nëse shihni shembuj të demokracive, qoftë nga BE-ja ose jashtë saj, si dhe në shoqëritë post-konfliktuoze, dialogu është mënyra e vetme të ecet përpara, respektivisht cilido vend t’i arrijë qëllimet e tij për stabilitet politik dhe ekonomik dhe zhvillim social. Ky dialog duhet të jetë jo vetëm në nivel të liderëve, por edhe në të gjitha nivelet e tjera: në nivel të shoqërisë civile, në nivel të partnerëve socialë, të bashkësisë afariste dhe nivele tjera bazike, siç është ajo, ndoshta më e rëndësishmja – në nivel të qytetarëve. Por, kuptohet, liderët duhet të jenë shembull. Nëse nuk ka dialog politik në nivel të liderëve, kjo automatikisht krijon atmosferë të rëndë dhe me të vërtetë konfrontuese në nivelet tjera.
Çfarë do të jetë situata në kontekstin e Maqedonisë? Gjithsesi, siç theksoi raporti i Komisionit Evropian për përparim nga tetori i kaluar, pamë përparim të konsiderueshëm në kuptim të dialogut politik në Parlament, ku ka takime të rregullta të koordinatorëve partiakë, që madje mundëson punë më të lehtë dhe më efikase në Parlament. Gjithashtu, tani shohim edhe rritje të numrit të debateve publike, ku organizatat e shoqërisë civile janë të ftuara të japin pikëpamjet dhe mendimet e tyre. Shpresojmë se kjo praktikë do të vazhdojë.
Por, ende jemi të ballafaquar me deficit të dialogut në nivel politik. Askush nuk mund ta kontestojë faktin se liderët e partive politike nuk takohen rregullisht. Nëse kujtoheni, ndërsa në janar këtë e thashë në Komitetin për punë të jashtme pranë Parlamentit Evropian, drekën që e organizova për të gjithë liderët e partive politike, duke përfshirë edhe kryeministrin, ishte takimi i tyre i parë i përbashkët nga korriku i kaluar. Besojmë se takimet e vërteta midis liderëve partiakë nuk duhet të zhvillohen vetëm në kohë krize, por kjo duhet të jetë pjesë e zakonshme e procesit demokratik. Nëse kjo praktikë bëhet pjesë e procesit demokratik, atëherë menjëherë jashtëzakonisht zvogëlohet atmosfera konfrontuese në shoqëri në përgjithësi. Për shkak se, nëse shoqëria shikon se liderët japin shembull me takime, me diskutime..., dhe nëse ata, kuptohet, nuk pajtohen për disa çështje, por të paktën takohen dhe kanë diskutime të rregullta për tema të ndryshme, kjo gjithsesi ndihmon të krijohet atmosferë më pozitive në nivelet tjera dhe ndihmon të sigurohet nivel i dialogut i cili me të vërtetë do të promovojë raport shumë më të hapur midis faktorëve politikë, partive, organizatave të shoqërisë civile etj. Për fat të keq, ajo çka momentalisht e shohim është dialog që ndodh midis liderëve politikë, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, porse përmes mediave ku në mënyrë reciproke akuzohen. Kjo nuk është shenjë e shëndoshë e demokracisë funksionale.
Për këtë arsye, apeli ynë është de dialogu duhet të intensifikohet midis liderëve politikë dhe duhet të shikohet si pjesë e procesit normal politik. Në këtë mënyrë krijohet mjedis shumë më pozitiv, i përshtatshëm për ndërtim të konsensusit, ndërsa, siç përmenda në fillim, që të arrihen qëllimet historike, konsensusi midis partive politike është vendimtar.
Nëse e shikoni shembullin me Slloveninë, kur ajo përgatitej për hyrje në BE, kishte konsensus midis partive. Vendi im, Irlanda, gjithashtu, para se të inkuadrohet në vitin 1973, kishte konsensus midis të gjitha partive për çështjen se si bashkarisht mundemi ta arrijmë qëllimin për integrimin në BE.
Është tejet e qartë se Maqedonia ka para vetes disa alternativa vendimtare, lidhur me arritjen e qëllimit për integrim në BE dhe lidhur me çështjen për emrin. Mënyra më e mirë që të zgjidhet kjo është të bëhet përpjekje që të gjendet bazë e përbashkët midis partive politike. Dhe kuptohet, shembulli të vijë nga liderët. Dhe sa liderët kanë më shumë fuqi, përgjegjësia të udhëhiqet përmes shembullit është më e madhe. Për këtë arsye, nëse kemi dialog politik në nivel të liderëve, atëherë në nivel të organizatave të shoqërisë civile kjo do të ndodhë si pasojë natyrore e ambientit të krijuar më pozitiv. Në këtë mënyrë do të shmanget ajo që e pamë paradokohe, kriticizëm, frikësim, madje edhe sjellje në pikëpyetje të integritetit të organizatave të shoqërisë civile të cilat e punojnë punën e tyre si edhe të tjerët.
Me të vërtetë është e rëndësishme që të gjithë sektorët e shoqërisë të shohin në kritikën konstruktive si në shenjë për demokraci të shëndoshë. Pavarësisht se nëse vjen nga b ashkësia afariste, shoqëria civile ose mediat, kuptohet, obligim i Qeverisë është ta dëgjojë, madje edhe ta pranojë kritikën e tillë. Kjo gjithsesi është më shumë shenjë e guximit sesa e dobësisë.
Për fat të keq, ndonjëherë shohim shembuj kur kritikët menjëherë konsiderohen si armiq të shtetit. Kjo është për të ardhur keq, sepse sërish kontribuon për atmosferë konfrontuese. Ndërsa ajo, kritika, nevojitet, për shkak se me pranimin e sfidës për dialog, Qeveria aktuale do të pasurohet me mendim të lirë dhe do të krijojë atmosferë më pozitive për konsensus midis të gjitha partive politike dhe të gjithë faktorëve në shoqëri. Këtu kemi mundësi të shkëlqyeshme për këtë, këtu është Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, i cili është krijuar pikërisht për këtë, që t’i prezantojë të gjithë sektorët e shoqërisë dhe ta promovojë frymën e konsensusit.
Për këtë arsye, mesazhi im modest është që me të vërtetë të theksohen përparësitë e dialogut të hapur në vendosjen e frymës së konsensusit. Këtë e kam parë shumë herë: në Afrikën e Jugut, në Amerikën Latine gjithashtu, ku mënyra e vetme që të zgjidhen situatat e vështira është përmes dialogut. Dhe siç thoshte shpesh Nelson Mandela: “nëse dëshiron ta gjesh frymën e konsensusit duhesh të mësosh të negociosh me oponentët e tu politik. Nuk negocion vetëm me miqtë e tu. Negocion me kundërshtarët e tu me qëllim që të gjendet kompromis dhe të arrihet fryma e konsensusit, i cili do ta çojë shtetin përpara që në mënyrën më të mirë të mundur të arrihen kushtet për integrimet euroatlantike. Dhe siç them, kjo me të vërtetë do të jetë situatë win-win për të gjithë të cilëve u dedikoeht.
(Shkëlqesia Ervan Fuere është Përfaqësues i posaçëm i BE-së dhe shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RM)
No comments:
Post a Comment