Sunday, March 20, 2011

Nikoll Virsh: RESPEKTI DHE BESIMI

Nëse arrihet që më shumë kohë të shfrytëzohet për debatim për gjërat esenciale për llogari të asaj që shpenzohet në akuzime të pakuptimta, debati i atillë do të jepte më shumë rezultate
Zviceranët edhe paraprakisht mbështetën debate me pjesëmarrës nga profile të ndryshme në Maqedoni, dhe çdoherë mendonim se do të ishte mirë që vetë shtetasit e Maqedonisë të ndërmarrin dhe të organizojnë debate të tilla të hapura. Për këtë arsye do të dëshiroja t’i uroj organizatorët e diskutimit të sotëm, dhe t’u falënderohem personave që erdhën – sepse,  që të ketë dialog është e domosdoshme, para se gjithash, të ketë njerëz, të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë, të cilët ndajnë kohë dhe kanë guxim të flasin haptazi dhe lirshëm.
Pikët e mia të tjera dalin nga përvoja që e kam fituar si vëzhgues i diskutimeve politike, të mbështetura nga ana e Zvicrës. E para është se, edhe pse çdoherë fillohej me agjendë, gjegjësisht çështje për të cilat mendonim se janë  me rëndësi të jashtëzakonshme për Maqedoninë dhe qytetarët e saj,  rrallë kur i jemi përmbajtur kësaj. Në fund të këtyre debateve, unë personalisht kam qenë e frustruar, sepse 90 për qind e kohës është shpenzuar në akuzime, ndërsa shumë pak kohë është shfrytëzuar për bisedime esenciale. Sipas hulumtimeve dhe sipas asaj që kam rast ta dëgjoj, brenga më e madhe e shtetasve të Maqedonisë është ekonomia, gjejgësisht papunësia. Por, edhe krahas identifikimit të përgjithshëm të problemit, ne pothuajse aspak nuk diskutuam për atë se çka do të mund të bëhet për zgjidhjen e kësaj çështjeje tejet të rëndësishme. Konsideroj se nëse shfrytëzohet më shumë kohë për debatim për gjëra esenciale për llogari të asaj që shpenzohet në akuzimet, debati i tillë me siguri do të jepte më shumë rezultate. Kuptohet, politikanët e kanë të vështirë që të përqendrohen vetëm në esencën dhe, siç tha kolegia ime nga Holanda duke folur për politikanët holendezë, duhet të pranoj, se as politikanët zviceranë nuk janë shembulli më i mirë: politika është megjithatë lojë e forcës.
Në vend të dytë duhet të thuhet se ekzistojnë disa elemente themelore të cilat janë posaçërisht të rëndësishme për zhvillimin e kulturës së dialogut. Një element i rëndësishëm i tillë është respektimi i ndërsjellë. Kuptohet se nuk duhet të pajtoheni me të tjerët, por nëse jeni të sjellshëm dhe tregoni respekt  gjatë shprehjes së mospajtimit, kjo gjithsesi është në ndihmë të madhe për mundësimin e dialogut. Unë personalisht konsideroj se, nëse nuk pajtohem me dikë, ndërsa dëshiroj t’i transmetoj ndonjë mesazh, atëherë duhet të jem madje edhe më e sjellshme  se zakonisht – kjo është mënyra dhe mundësia e vetme që mesazhi im të transmetohet deri te ai pikëpamjet e të cilit dallohen nga të miat. Element tjetër i rëndësishëm për dialogun është besimi, që, sipas asaj që e kamë parë, në Maqedoni nevojitet të jetë i pranishëm vërtet shumë. Maqedonia është vend i vogël dhe të gjithë njihen mes vete. Në debatet që i kemi pasur, çdoherë pashë se si politikanë nga partitë kundërshtare në pauzat afrohen dhe përqafohen. Kjo për mua çdoherë ishte pamje ngushëlluese, e cila tregon se në fund të ditës gjithçka nuk është e zezë. Gjithsesi, besimi duhet të kultivohet. Si politikanë ju zhvilloni ideologji specifike, por udhëheqja e politikës së mirë shpesh lidhet me gjetjen e kompromiseve dhe balancim të pikëpamjeve personale. Tërheqja e vogël nga pozicionet personale mund t’ju sjellë shumë më larg sesa insistimi në qëndrime të pandryshuara. Nevojitet pragmatizëm, posaçërisht në vende me bashkësi të ndryshme, ku peripecitë janë në mënyrë natyrale të ndryshme. Shpresoj se politikanët e Maqedonisë do të munden që kohë pas kohe të jenë më pak seriozë dhe t’i shqyrtojnë përparsitë nga luajtja me ide, të cilat mund të jenë të dobishme në mënyrë reciproke. Gjithsesi, gjetja e kompromiseve është sfidë e përhershme për njerëzit gjithkund, ndërsa zviceranët në asnjë kuptim nuk mund të trajtohen si model për kulturë më të mirë të dialogut. Mënyra e vetme është që çdoherë të përpiqemi të diskutojmë dhe t’ia zgjasim dorën njëri-tjetrit.
(Shkëlqesia Nikoll Virsh është Ambasadore e Zvicrës)

No comments:

Post a Comment