Derisa të mos fitojmë subjekte heretike në opinionin tonë civil të cilët janë rebeluar edhe nga tabori i tyre personal dhe hynë në përplasje të qëndrimeve, ne nuk mund të kemi debat autentik në sektorin civil
Vetë formulimi “dialog politik” dhe mënyra në të cilën ai përdoret në opinionin tonë, për mua paraqet një nocion të mjegullt, një lloj llomotitjeje pas së cilës asnjëherë deri në fund nuk e kemi të qartë se çka fshihet. Por, duke e interpretuar atë që e dëgjojmë, shohim në opinion, konkludojmë se çdoherë i referohet dialogut midis partive më të mëdha politike. Për dallim nga perspektiva e këtillë e gjërave, unë dëshiroj të përqendrohem në dialogun në kuptimin më të gjerë të fjalës, do të thotë se si opinion në të cilin është kyçur edhe sektori joqeveritar, por nuk është e domosdoshme që ato të jenë organizata, por edhe aktivistë, intelektualë, profesorë, artistë etj., e gjithë ajo që e bën opinionin – opinion.
Konsideroj se, që të vendoset ndonjë lloj i korrektivit në pikëpamje të asaj që paraqet dialog politik midis partive, nevojitet ngritje e nivelit të cilësisë së debatit brenda në sektorin civil, por kjo është e pamundur në qoftë se ne definohemi vetvetiu përkundër partive politike dhe në qoftë se i determinojmë pozicionet tona paraprakisht, si pozicione të cilat i përkasin njërit grup politik ose tjetrit, një tabori, blloku ose partie, apo ndonjë tjetri. Do të thotë, derisa perceptimi i asaj që zhvillohet si debat në sektorin civil është i determinuar nga ai supozim se ne jemi refleksi i asaj që ndodh si debat midis partive politike, nuk do të kemi opinion cilësor i cili në mënyrë autentike zhvillon debat.
Shoqëria civile lejoi që vetveten ta definojë përmes rrugës së këtij refleksi dhe me këtë e mori mundësinë për debat kreativ dhe të pacensuruar. Vetëcensurimi vjen, para se gjithash, nga frika se nëse qëndroni pas njërit ose tjetrit pozicion, automatikisht do të identifikoheni si ithtarë të këtyre ose atyre. Gjegjësisht për shkak të frikës se ajo që mund ta definojë pozicionin tonë si subjekt të opinionit është e domosdoshme mbështetje ndaj njërës parti politike ose tjetrës. Në këtë mënyrë bllokohet dialogu, brenda në shoqërinë civile. Do të thotë bazohet në supozimin se nuk ekziston debat autonom i intelektualëve dhe se nuk është e mundur për disa çështje të pajtohem me disa, ndërsa për çështje të tjera të jem më e afërt me të tjerët. Kjo mundësi sikur është përjashtuar nga perceptimi në opinion dhe kjo është ajo që e zvogëlon nivelin e cilësisë së debatit në shoqërinë civile.
Unë këtë do ta kisha detektuar si problem kyç dhe mendoj se burimi i këtij problemi nuk është vetëm kjo logjikë e refleksit, por e gjithë ideja për përfaqësim të qëndrimeve që e ndajmë edhe ne si shoqëri civile dhe politikanët, ndërsa ajo është politika e besimit të vërtetë, të ortodoksisë... Kjo do të thotë se në mënyrë ortodokse i përkisni një linje – linjës politike apo të mendimit politike ose linjës partiake, ose në mënyrë ortodokse i përkisni tjetrës. Do të thotë, herezia përjashtohet. Mendoj se derisa të mos fitojmë subjekte heretike në opinionin tonë civil të cilët janë rebeluar edhe nga tabori i tyre personal dhe hynë në dialog, në këtë debat, në përplasje të qëndrimeve – qëllimi gjithsesi është që të kuptohemi dhe në fund të arrihet ndonjë harmonizim, por nuk është e domosdoshme që të vihet deri te ajo – ne nuk mund të kemi debat autentik në sektorin civil.
(Katerina Kollozova është profesoreshë e filozofisë dhe studimeve gjinore)
No comments:
Post a Comment