Sunday, March 20, 2011

Koço Andonovski: LINÇ


Me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi pushteti praktikisht dërgoi mesazh për linç të atyre që nuk mendojnë “si duhet”
Për shkak se jam aktivist do të tentoj që në mënyrë plastike të përshkruaj se si ndodh dialogu politik në Republikën e Maqedonisë, posaçërisht në atë sektor në të cilin unë jam aktiv, gjegjësisht në sektorin qytetar, në korelacion me strukturat politike.
Prej para një viti, do të thotë në mars të vitit të kaluar, një grup i studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dëshironte të bëjë protestë kundër ndërtimit të kishës në sheshin në qendër të Shkupit. Ata kishin vërejtjet e tyre profesionale, esnafe rreth vendimeve urbanistike dhe  ndërtimore në vetë projektin. Kërkuan ndihmë, disa aktivistë u mblodhëm dhe u dhamë mbështetje. Dolëm me ta sepse edhe ne kishim vërejtjet tona rreth gjithë projektit. Konsideruam se në shoqëri si Maqedonia, projekte që promovojnë veçanti do të jenë të dëmshme dhe shkaktojnë kontroversa dhe tensione. Kjo, realisht, ishte oferta jonë për dialog në shoqëri. Përgjigjja ndaj kësaj oferte ishte e ashpër. Ne u sulmuam nga më shumë se një mijë njerëz të cilët erdhën në sheshin e Shkupit. Në thirrjen për dialog, u përgjigjën me thirrje publike që të sulmohemi. Mbrëmjen paraprake një thirrje e këtillë u shpall publikisht në mediat elektronike, nëpër bllogje... Unë për herë të parë përjetova një gjë të tillë, një lloj të tillë të dialogut, njerëzit që na sulmuan ishin me goja të shkumbuara, më shikonin me urrejtje dhe bërtisnin: “pederastë, ateistë, do t’ju mbysim”. Fat i mirë që sulmuesit nuk ishin nga Shkupi, gjegjësisht që i sollën me autobusë nga qytetet tjera, e nuk mundnin të na ndjekin deri sa iknim nëpër rrugicat e Shkupit.
Këtë gjuhë të urrejtjes, këtë lloj të dialogut që ndodhi në të ashtuqujaturin “Sheshi Liria” dua ta lidhi me Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, proces në të cilin jam i inkuadruar tashmë pesë vite, nga koha kur asnjë parti politike nuk kishte vullnet politik të miratohet një ligj i tillë. Me kalimin e viteve edhe ne si aktivistë mësonim rreth gjithë procesit, rreth ligjit, rreth mekanizmave, rreth gjithçkaje, ndërsa gjithashtu besoj, shpresoj edhe strukturat politike. Përfundimisht erdhi dita për liberalizim të vizave dhe qeveria vendosi se duhet të miratohet ky ligj. Edhe ne ishim të inkuadruar. Bëmë një propozim, jo të përkryer, por një propozim të mirë, i cili ishte bazë për negociata dhe përpunim. Këtë propozim Qeveria e shfrytëzoi  në Bruksel në negociatat për marrje të liberalizimit të vizave. Liberalizimi i vizave u arrit dhe pas kësaj menjëherë hyn në Kuvend një propozim krejtësisht tjetër, të cilin të gjithë si pjesëmarrës në proces deri atëherë as që e  kemi parë, as që mundemi ta mbështesim. Që kjo të kalojë, Qeveria lëshoi dy bomba tymi: e para ishte orientimi seksual, e dyta ishte martesa homoseksuale dhe adoptimi i fëmijës. Në të dy rastet merret një grup i margjinalizuar, tërësisht stigmatizohet, vihet në ballë si fajtori kryesor dhe vendoset në rrezik për dhunë ndaj tij, për shkak se mesazhi është: ne orientimin seksual nuk do ta përfshijmë, do të thotë ne këta njerëz nuk do t’i mbrojmë. Tani secili që është ose mund të perceptohet si gej në rrugë në Maqedoni, mundet në çdo moment të sulmohet, sepse mesazhi të cilin qytetarët e dëgjuan është: ne këtë nuk e vendosëm në ligj, dhe nuk i mbrojmë këta njerëz. Kjo është gjithashtu pjesë e kulturës dhe dialogut politik në Maqedoni.
Nëse merret parasysh se me Ligjin mbrohet për përcaktimin fetar, gjegjësisht nuk merret parasysh dhe nuk mbrohet ateizmi, dhe nëse kjo lidhet me ngjarjet e vitit të kaluar, kur na quanin “homoseksualë dhe ateistë”, si de me faktin se etiketmet e këtilla edhe këtyre ditëve u aktualizuan, disi mozaiku kompletohet dhe fillon t’i ngjajë stigmatizimit, viktimizimit dhe nxjerrjes nën reflektorë të njerëzve të cilët  janë mendimi kritik në Maqedoni, Kjo, në fakt, është një leksion edhe për të tjerët të cilët do të guxojnë të mos mendojnë “si duhet”.
Ndërkohë, në Ligjin për marrëdhënie pune u hoqën kuotat për turnin e natës, ndërsa edhe vetë ligji tërë kohën ndryshon. Kushtet për punonjësit po përkeqësohen, sindikatat  sillen në situatë të pamundur që të funksionojnë... Nëse e dimë se nga sindikatat dhe nga marrëdhëniet e punës fillon parimi i të drejtave të njeriut, e gjithë kjo merr njëfarë kuptim. Për fat të keq unë e shoh kulturën politike si guerile, ndërsa dialogun politik si luftë nga istikamet. Assesi të dalim nga istikamet, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe të themi diçka që me të vërtetë e mendojmë.
(Koço Anndonovski është aktivist i të drejtave të njeriut)

No comments:

Post a Comment